Lideri i Lidhjes Demokrate, Isa Mustafa, ka publikuar letrën të cilën ia ka dërguar kryeministrit të Kosovës dhe partnerit të koalicionit, Albin Kurtit.

Ai thotë se ai iu kishte drejtuar Kurtit më 16 mars, katër ditë pasi në zyrën e tij ishte bashkë me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe zëvendëskryeministrin Avdullah Hoti, ku thotë se ia kishin bërë me dije se mosheqja e tarifës dhe ashpërsimi i marrëdhënieve me SHBA-të do ta sjellë në pikëpyetje koalicionin

“I nderuari Kryeministër, Kurti Si partner i koalicionit, unë dhe drejtuesit tjerë të LDK-së ndajmë bindjen se nuk duhet të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të. Se duhet ta heqim tarfën dhe Qeveria ta merr përgjegjësinë që i takon në dialog. LDK ka mbështetur Rezolutën në Kuvend për dialogun dhe nuk do të mbështes në asnjë rast një marrëveshje që prek kufijtë dhe organizimin e brendshëm. Ne nuk mund të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të, për shkak të tarifës. Prezenca e fuqishme e SHBA-së në Kosovë është jetike për vendin tonë. Kemi probleme të mëdha me virusin Covid-19. Këtë betejë duhet ta fitojmë bashkërish”, thotë Mustafa se i ka shkruar Kurtit.

Ai thotë se ia ka bërë me dije Kurtit se LDK-ja nuk ka bërë koalicion për ta prishur por për të bërë ndryshime.

“Prandaj të lutem për mirëkuptim që tarifa të hiqet gjatë kësaj jave. Mos e kupto këtë si kërkesë të njëanshme por si interes të përbashkët. Nëse vazhdohet kështu, posa ta kapërcejmë këtë situatë emergjente me Virusin, si LDK do të detyrohemi të dalim nga koalicioni, sepse nuk duam të jemi bashkëpërgjegjës të prishjes së marrëdhënieve me aleatin tonë kryesor. Për këtë do ta njoftoj edhe Ambasadorin Grenell”, përfundon letra e Mustafës.

Ai thotë se “përgjigjen që e kam marrë nga Kryeministri Kurti, më 18 mars ishte shkarkimi në kundërshtim me Marrëveshjen për koalicion, të nënkryetarit të parë të LDK-së, Agim Veliu nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe shpallja e tij, hiq më pak se, tradhtar në adresimin e tij qytetarëve në mbrëmjen e asaj ditë”.

“Pyes, juve qytetarë të nderuar, edhe disa nga juve perfaqësues të korit diplomatik, por edhe dy tre deputetë të LDK-së: A është ky veprim i drejtë i Kryeministrit tonë? A flet ky veprim se Kryeministri Kurti është i përkushtuar ta ruaj koalicionin dhe ta luftojmë bashkërisht Virusin Corona? Ju pyes, çfarë vendimi tjetër do të duhej të merrte LDK, kur kaq keq injorohet dhe poshtrohet nga Kryeministri i vendit”, ka shkruar ai.

Mustafa thotë se nuk është i ri të ndikohet nga të tjerët e as nuk është avanturier, derisa shton se është i brengosur për qytetarët.

Ai ka thënë se pret që Kurti ta anulojë vendimin për shkarkimin e Veliut dhe t’i kërkojë falje LDK-së.

“Unë nuk jam i ri të ndikohem nga të tjerët e as avanturier. Jam shumë i brengosur për njerëzit tanë, qytetarët e këtij vendi. Dua që unë dhe partia ime të japë çdo gjë dhe ta fitojmë betejën ndaj këtij virusi. Dua që të bashkëpunojmë me partnerët tanë strategjik dhe të mos e humbim përkrahjen e tyre. Edhe sot përulem para popullit tim dhe kërkoj mirëkuptim nga partia ime. Pres edhe sot që zoti Kurti ta heq tarifë, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Që atij dhe LDK-së t’i kërkoj falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët. Të na japë mundësinë të jemi bashkë në këtë betejë”, ka shkruar ai.