Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj gjatë vizitës në Pejë në ditën e dëshmorëve u ndal të theksonte se sa i përket koalicionit qeveritar me LDK-në, kemi arritur dakordësi për programin qeverisës.

Tre partitë të cilat synojnë të qeverisin Kosovën, LDK, AAK dhe NISMA kanë paralajmëruar takime për harmonizim të programit politik, pavarësisht dërgimit të dekretit te presidentit nga VV në Gjykatën Kushtetuese.

Nga ana tjetër, vdekja e 26-vjecarit në Qendrën Studentore në Prishtinë ka ndezur një debat politik, ku opozita akuzon qeverinë si shkaktare të ngjarjes, duke kërkuar edhe ngritjen e një komisioni hetimor.

Drejtori i Gazetës Online “Reporteri.net, Bekim Kabashi ka komentuar në lidhje me zhvillimet politike në Kosovë Euronews Albania.

Ai fillimisht komentoi ngjarjen e rendë të vdekjes së të riut ndërsa theksoi se nuk është e drejtë që kjo çështje të politizohet.

“Është e vërtetë që raste të tilla nuk duhen politizuar, por nuk i duhen ndaluar veprimet opozitës që të kërkojë përgjegjësi institucionale. Me të të drejtë u kërkohet, ministrave të saj (VV-së) që të japin përgjegjësi, sepse ka pasur një menaxhim jo të mirë të karantinës. Ne kemi pasur probleme në menaxhimi për shqetësimin që kanë paraqitur shqetësimet të karantinuarit”, tha ai.

Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese ende nuk është shprehur mbi dekretin e Thaçit mbi qeverinë e re, partitë politike kanë vijuar takimet për harmonizimin e programit qeverisës.

Kjo qasje sipas Kabashit nuk do të thotë se partitë janë duke bllokuar punën e Kushtetueses.

“Jo, këtu kemi dy palë, njëra palë insiston në të drejtën e saj, dhe pala tjetër insiston se nuk kanë të drejtë që partitë e tjera të bëjnë qeveri në këtë rast Vetëvendosja. Marrëveshja e koalicionit është bërë para se të dërgohet lënda në Gjykatë, kështu që partitë janë duke e pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ata kishin bërë gati të zgjidhnin qeverinë në parlament të shtunën e kaluar. Ata kanë kohë që të zgjerohen në një plan të përbashkët”, tha ai.

Mes tjerash, Kabashi shtoi se Kosova rrezikon të kaplohet nga një krizë e fortë politike.

“Ajo që pritet me ankth është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pasi kemi pasur probleme dhe thirrje për protesta të shoqërisë civile, që janë pranë VV-së. Kosova duket se edhe pse është e lehtësuar disi nga pandemia, mund të ketë një krizë politike. Kosovën e pret një situatë e tensionuar politike brenda Kosovës, por edhe në dialogun me Serbinë”, shtoi ai.